14 Këshilla si të kursejmë gjatë festave
Për ti shijuar siç duhet festat dhe të mos përfudosh pa asnjë para në xhep në janar kujdesu për shpenzimet dhe kursimet gjatë kësaj kohe. Nuk është shumë e thjeshtë, me gjithë vrullin dhe ngarkesën që ka kjo periudhë.
Më poshtë po ju japim disa këshilla të vogla se si mund t’ja dilni.
- Reflekto rreth arsyes pse po bën dhurata.
Mendo se cila është arsyeja pse po bën një dhuratë të caktuar. Nga kjo do ta kesh më të lehtë të vendosësh një buxhet dhe më pas se çfarë dhurate do të blesh. - Ndërto një buxhet
Përcakto qartë sa do të shpenzosh për dhurata, sa do të shpenzosh për dekorin e shtëpisë, cila është shuma që do të shpenzosh për festën etj. Ndërto një buxhet dhe ndiqe atë me përpikmëri. (Shkarko në fund të artikullit falas “Planifikuesin e Dhuratave”) - Kontrollo shpenzimet e tua
Mos bëj gabimin që të shpenzosh dhe të mos i kontrollosh çfarë ke shpenzuar. Dhjetori është një nga muajt gjatë të cilit ne shpenzojmë më shumë. Nëse nuk i ndjek siç duhet shpenzimet do të duhen disa muaj për të rregulluar situatën financiare. - Zgjidh të jesh prezent përpara dhuratave që kushtojnë “një mal”
Të gjithë e kemi përdorur shprehjen “rëndësi ka ideja”, shpeshherë duke bërë shaka. Por në fakt kjo është e vërtetë. Për shumë njerëz, të kenë mundësi të kalojnë kohë me njëri-tjetrin është shumë më me vlerë sesa dhuratat e shtrenjta që mund ti bëjnë njëri-tjetrit. Ti mund të kursesh para duke krijuar hapsirë për të kaluar kohë me njerëzit e tu të dashur. - Bëji blerjet herët
Mos prit dhejtorin apo ditët e fundit të tij për të bërë blerjet. Në këto ditë çmimet rriten, po ashtu edhe transporti nëse blen online. Gjithashtu rritet stresi për shkak të eventeve të shumta dhe kohës së kufizuar që ke. Kur blen në një kohë të shkurtër shanset që të bësh blerje impulsive janë më të mëdha. - Rezistoji marketingut
Mos e lejo veten të bëhesh pre e marketingut, me uljet dhe ofertat pafund (lexo artikullin). Qëlimi i tyre është të rrisin shitjet. Qëndroji buxhetit tënd dhe bëj blerje të zgjuara. - Përdor kartat e dhuratave (gift card)
Nëse ke dyqane në të cilët ke karta dhurate apo karta klineti në të cilat ke grumbulluar pikë, tani është momenti për ti përdorur. - Kombino blerjet e tua
Nëse je duke blerë online, pse të mos blesh disa artikuj në një dyqan? Në këtë mënyrë do të kursesh kostot e transportit. Trego zgjuarsi dhe kombinoji blerjet që ke në plan të kryesh. - Ashtu si Babagjyshi, mos harro të kontrollosh listën
Besoj se mund ta lidhësh figurën a Babagjyshit me listën në të cilën ka shënuar gjithë emrat e fëmijëve. Këtë gjë mirë është ta mësojmë edhe ne. Nëse nuk ecim me një listë shpenzimesh do të shpenzojmë mbi atë që kemi planifikuar. - Përdor dhuratat në grup
Nuk ka asgjë të keqe nëse bëheni disa persona së bashku për ti blerë një dhuratë dikujt tjetër. Duke ndarë kostot është një mënyrë shumë e mirë për ti blerë dikujt një dhuratë me vlerë të madhe, ndërkohë që kujdesesh edhe për buxhetin tënd. - Ri-dhuro
Kjo mund të mos duket një këshillë shumë e mirë, por gjithsesi unë mendoj që nuk ka asgjë të keqe të bëhet. Nëse ti merr përshembull dhuratë një bluzë identike me një që ke në shtëpi, nuk ka asnjë problem që këtë t’ja dhurosh dikujt tjetër. Kjo gjë do të kursente para por edhe vendos në përdorim një dhuratë e cila do të ngelej në sirtar e papërdorur. - Krijo vetë dhuratat
Nëse do që dikujt ti bësh një dhuratë të veçantë dhe shumë personale, provo ta krijosh vetë atë. Nëse nuk ke talent për të bërë punëdore, mund të gatuash disa biskota, mund të bësh një kartolinë të vogël etj. - Paketoji vetë dhuratat
Nuk është nevoja të shpenzosh shumë para për paketimin, i cili për fat të keq do të griset dhe do të hidhet menjëherë poshtë. Nëse mund të jesh pak kreativ mund ti paketosh vetë në shtëpi me shumë pak kosto. - Ji dhuruesi zgjuar
Bëj dhurata të cilat do i shërbejnë personit tjetër. Filozofia që unë përdor kur bëj dhurata është që të blej diçka që personi tjetër e pëlqen por në morinë e shpenzimeve nuk do e blinte atë në mënyrë të zakonshme.
Krijo një buxhet, shpenzo dhe kurse në mënyrë të zgjuar dhe të qëllimtë, për ta bërë të paharrueshme këtë Krishtlindje dhe Vit të Ri.