6 “truket” e marketingut që ju bëjnë të shpenzoni më shumë
Në këtë periudhë fundviti, në çdo dyqan që shkojmë, qoftë ky supermarketi në lagje apo qendrat e mëdha tregtare shohim ngjyra festive, etiketa me oferta dhe shumicën e kohës, pazaret i bëjmë në shoqërinë e Mariah Carey (me “All I want for Christmas” në sfond).
Duke u përhumbur në magjinë e ngjyrave dhe të dritave, harrojmë te kemi kontrollin në portofolin tonë. Pa e kuptuar, në këtë mënyrë biem shumë shpesh “pre” e strategjive të marketingut. Shitësit dinë një sekret për ne: Të gjithë ne jemi blerës emocional. Ata e dinë që nëse një produkt të ngjall emocione, të bën të ndihesh mirë apo të kthen pas në kujtimet e fëmijërisë ne do të ishim më të prirur për ta blerë.
Kështu që, kur dyqanet “luajnë” me emocionet tona, ne jemi më të prirur për të shpenzuar më shumë sesa kishim menduar. Ne duhet të kemi kujdes nga këto teknika marketingu, për të mirën e buxhetit personal. Në këtë artikull do ju njoh me disa nga strategjitë e marketingut që dyqanet përdorin që ne të blejmë më shumë, në mënyrë që kur të shkoni në një dyqan herën tjetër të jeni më të vëmendshëm.
1. Uljet dhe ofertat
Nuk besoj që ka njeri që nuk kënaqet kur bën një blerje të mirë dhe arrin ta marrë me çmim të ulët për shkak të ofertës. Ndodh shpesh që mund ta blejmë diçka që nuk e kishim fare në plan vetëm sepse është me ofertë.
Në fakt shitësit e dinë shumë mirë këtë gjë, prandaj edhe i vendosin ato tabelat e mëdha me të cilat reklamojnë uljet. E njëjta gjë ndodh edhe me faqet online, madje ato kanë edhe një avantazh tjetër kur ofrojnë edhe transportin falas (blerje e zgjuar, apo jo!).
Është shumë mirë të shfrytëzojmë uljet dhe oferta për të blerë gjërat që na duhen. Kjo është vërtetë diçka e zgjuar për tu bërë. Por duhet të jeni të kujdesshëm që të mos përfundoni me një tufë me gjëra që nuk ju duhen dhe vetëm sepse ishin me ulje dhe “s’mund ti lije të të shpëtonin”.
2. Ngjyrat
Është e vështirë të shmangësh ngjyrat, të kuqen, jeshilen, gjatë këtij sezoni festash. Nga studime të ndryshme është parë se ngjyrat kanë ndikim në zgjedhjet tona kur bëjmë blerje. Veçanërisht ngjyra e kuqe inkurajon blerjet impulsive. Për këtë arsye shitësit e përdorin aq shumë (kini parasysh, edhe kur ka ulje çmimesh etiketat zakonisht janë në ngjyrë të kuqe).
Herën tjetër që do jesh në një dyqan dhe shikon një etiketë uljesh me ngjyrë të kuqe, ndalo një moment dhe reflekto nëse vërtet të duhet ajo gjë që po mendon të blesh.
3. Muzika
Muzika ndikon në emocionet tona. Studimet thonë që blerësit i përshtaten ritmit të muzikës gjatë blerjes në një dyqan. Muzika ritmike (të cilën dyqanet e përdorin gjatë sezonit të uljeve) i bën blerësit të mos mendohen shumë dhe të bëjnë blerje të shpejta. Muzika e qete i bën blerësit të qëndrojnë më gjatë në dyqan, duke bërë më shumë blerje. Këngët e qeta të Krishtlindjes na bëjnë nostalgjik duke na bërë të blejmë më shumë gjëra që nuk na duhen.
Këshilla jonë është që të jeni të vetëdijshëm për ndikimin që ka muzika dhe të jeni të kujdesshëm ndërkohë që bëni blerjet tuaja.
4. Aromat
Aromat shumë herë lidhen me kujtimet dhe emocionet tona. Departamentet e marketingut në dyqane i përdorin aromat për të kontrolluar sjelljen tonë drejt shpenzimeve, sidomos gjatë sezonit të Krishtlindjes. Herën tjetër që do jesh në një dyqan gjatë sezonit të Krishtlindjes, kujdesu që aromat e mira në dyqane mos të të shtyjnë të blesh gjërat që nuk të duhen.
5. Pagesat me këste
Kur blen me këste, e para është që po i shton vetes tënde një borxh dhe e dyta, do paguash më tepër sesa është çmimi pasi do paguash edhe interesat për blerjen me këste. Është shumë e lehtë të tundohesh nga kjo formë marketingu, e cila është shumë fitimpurëse për kompanitë të cilat e përdorin.
6. Blerjet impulsive
Ndodh që ke bërë gjithë blerjet e nevojshme, dhe shkon te kasa për të paguar. Aty ka disa rafte të tjera, me gjëra që ty ndoshta nuk të kishte shkuar në mendje që mund të të duheshin. Zakonisht këto produkte kanë çmime të përballueshme dhe që mund të të hyjnë në punë një moment, kështu që ti i thua vetes “po e marr se do më hyjë në punë një moment!” Në njëfarë mënyre ato janë si përpjekja e fundit për të bërë të shpenzosh edhe pak para, përpara se të dalësh nga dyqani. Duhet patur kujdes sepse këto blerje të vogla, mund të rëndojnë buxhetin tënd.
Në këtë artikull nuk kam dashur të bëhem si Grinch për të prishur magjinë e festave.
Përkundrazi, unë e dashuroj këtë periudhë, atmosferën e ngrohtë, ngjyrat, shkëlqimin e dritave, dashurinë e shpërndarë nëpërmjet dhuratave (ose jo).
Por është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se si marketingu e përdor këtë sezon për të rritur të ardhurat e tyre. Duke mbajtur në mendje këto taktika të marketingut dhe duke ndjekur një buxhet të përcaktuar më parë, do të keni festa shumë të bukura të cilat nuk do t’ju dëmtojnë financat. Përkundrazi do të shijoni festat duke krijuar kujtime të bukura me të dashurit tuaj.
Dhe si dhuratë për ty që lexove këte artikull unë kam një dhuratë në këtë Krishtlinjde. Është Planifikuesi i Dhuratave të Festave i cili do t’ju ndihmoj dhe do t’jua bëjë më të lehtë planifikimin që duhet të bëni dhe ndjekjen e shpenzimeve për to.
Gëzuar!