Çfarë mësova nga Libri “Psikologjia E Parasë”?
Libri i investitorit suedez Morgan Housel është ndër librat më të lexuar në fushën e financave personale. Zgjodha që ta nisja këte libër, duke parë përshtypjet shumë të mira për të në rrjet dhe efektin pozitiv që ka pasur.
“Psikologjia e parasë” është vërtet një libër që pasqyron shumë qartë se si në njerëzit mendojmë dhe veprojmë kur vjen puna tek paratë. Shumë pak flitet për financat personale në rrethet tona megjithëse ato zënë një peshë të rëndësishme në përditshmërinë e gjithësecilit.
Shpesh njerëzit krijojnë perceptime të gabuara për paratë apo për pasurinë. Ne mendojmë se të jesh i pasur duhet të kesh shumë fat apo që të investosh duhet të kesh studiuar ekonomik.
Në këtë libër Morgan Housel trajton disa koncepte shumë të rëndësishme për financat personale. Unë do të ndaj vetëm tre prej tyre.
E para ka të bëj me interesin e përbërë dhe fuqinë e hapave të vegjël dhe pritjes në kohë. Autori sjell shembullin e një prej investitorëve më të fuqishëm në botë, Warren Buffet. Sekreti i Buffet është qëndrueshmëria që ai ka pasur në kohë në investimet e tij. Warren Buffet ka filluar të investoj që në moshën 11 vjeçare dhe nuk ka ndaluar për asnjë moment. Nëse ai do të kishte hequr dorë nga investimi në moshën 60 vjeçare, nuk do të kishte të njëjtën pasuri që ka aktualisht.
Investimi është i lidhur me marrjen e fitimeve goxha të mira, të cilave mund ti bësh të qëndrueshme dhe t’i përsërisësh për periudhën më të gjatë kohore të mundshme. Kështu fillon rritja në përpjestim gjeometrik e pasurisë e cila shtohet me ritëm të çmendur.
Koncepti i dytë lidhet me lirinë financiare. Të jesh i lirë financiarish nuk do të thotë që s’do të punosh më. Liri dhe pavarësi financiare do të thotë që të bësh punën që të pëlqen, me njerëzit që të pëlqejnë, kur të duash dhe për aq kohë sa do. Autori i mëshon faktit që duhet të kursehet edhe pa patur një qëllim shpenzimi. Është normale të kursesh për të shkuar me pushime, të kursesh për të blerë një makinë etj. Por për të patur lirinë financiare duhet të kursesh për ngjarje që ti nuk i parashikon dot në të ardhmen. Ai e quan këtë fond kursimi si “fondi i pavarësisë” dhe mua më pëlqeu jashtëzakonisht shumë ky togfjalësh kur e hasa për herë të parë.
Housel e përmbledh shumë bukur këtë koncept kur flet për veten e tij dhe thotë që çdo ditë do të zgjohet duke ditur që bashkë me familjen mund të bëjnë gjithçka që duan në mënyrën që duan. Çdo vendim financiar që merr thotë se sillet rrotull këtij qëllimi.
Koncepti i tretë që doja të përmendja, të cilin libri e vë në dukje është se vendimet financiare kanë të bëjnë më tepër me emocionet dhe rrethanat sociale sesa nga edukimi apo informacioni që dikush ka përsa i takon financave. Janë disa parime themelore që ekzistojnë dhe duhen respektuar, megjithatë vedimet financiare më të rëndësishme nuk merren në programet financiare apo studime shkollore. Ato merren në tavolinën e ngrënies. Shpesh nuk merren me synimin për të maksimizuar fitimet, por për të minimizuar shansin e zhgënjimit të familjarëve. Të tilla gjëra është e veshtirë të përmblidhen në tabela apo formula, dhe ndryshojnë shumë nga njëri person tek tjetri. Ato që funksionojnë për njerin mund të mos funksionojnë për tjetrin.
“Psikologjia e parasë” është një libër në të cilin kushdo ka dëshirë të përmirësojë financat e tij do të gjej diçka që ka vlerë për të. Por ajo që do të merrni nga ky libër është informacioni. Vendimet për financat tuaja do ti merrni vetë ju, në “tavolinën e ngrënies”.