Si të ndërtoj një buxhet për familjen?
Buxheti ndihmon për të shpenzuar më me kujdes. Nëse një individ nuk ka një planifikim se si do ti arrij qëllimet, e ka shumë të vështirë për ti arritur ato. Buxheti shihet si një mënyrë optimale për një plan personal financiar që shpërndan të ardhurat në drejtim të shpenzimeve, kursimeve dhe të shlyerjes së borxheve.
Megjithëse njerëzit bëjnë planifkime për të ardhmen e tyre, përsa i përket të ardhurave, jo gjithmonë ndodh që një individ apo familje të ketë në formë të shkruar një buxhet.
Një buxhet familje tregon shpërndarjen e të ardhurave të familjes në shpenzimet e ndryshme.
Ashtu si çdo buxhet tjetër, buxheti i familjes përbëhet nga të ardhurat dhe shpenzimet.
Sa janë të ardhurat e duhura për një familje? Fjala “të duhura” është padyshim e paqartë. Çfarë është e mjaftueshme për një person duke marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e tij, nuk do të jetë e mjaftueshme për një tjetër. Kërkesat për një lloj familje nuk do të jenë njësoj për një lloj tjetër familje.
Shuma e parave që një familje zgjedh të shpenzoj për qëllime të caktuara është një vendim i ndryshëm dhe personal për secilin. Por elementët bazik të një buxheti familje janë të njëjtë.
Të ardhurat
Të ardhurat janë pikënisja e buxhetit. Nëse nuk ka të ardhura atëherë një familje nuk ka se çfarë të planifikoj. Për qëllime të planifikimit dhe menaxhimit të buxhetit, e ardhura që ka më shumë rëndësi është e ardhura neto që është e shpenzueshme.
Shpenzimet fikse
Këtu bëjnë pjesë elementë që nuk varen dot nga dëshirat e individit. Ato janë shuma të caktuara shpenzimesh mujore ose vjetore për kredi, kontrata apo detyrime të tjera ligjore dhe përbëjnë pjesën kryesore të buxhetit. Fakti që ato janë të parashikueshme i bën shpenzimet fikse më të lehta për ti llogaritur gjatë planifikimit dhe menaxhimit të buxhetit.
Shpenzimet variabël
Shpenzimet variabël apo fleksibël ndryshojnë nga një periudhë buxhetimi në tjetrën. Të tilla shpenzime janë energjia elektrike, karburanti, shpenzimet për ushqime, veshje, mjekime, argëtime etj. Shpenzimet variabël mund të vlerësohen dhe kontrollohen mirë me zakone të mira të buxhetimit.
Shpenzimet e paplanifikuara
Shpenzimet e paplanifikuara janë një element i rëndësishëm për një buxhet të mirë. Është normale që të ketë ngjarjë të paplanifikuara dhe emergjente në jetën e individit dhe familjes. Duke pasur disa fonde të lëna mënjanë për këto ngjarje, familjes nuk do ti duhet të harxhojë gjithë paratë e buxhetit apo të marrë borxh për zgjidhjen e tyre në momentin e ndodhjes.
Kursimet
Ekspetët thonë se njeriu duhet të paguaj veten të parin. Pra, për individin është e rëndësishme të kursej për të ardhmen. Mund të jenë kursime afatgjata të tilla si kursimet për pension ose kursime afatshkurtra si për shembull për të shkuar me pushime, për të blerë një makinë të re, etj.
Avantazhet e buxhetimit:
- Ndihmon në shpërndarjen më të mirë të të ardhurave të familjes për të pasur një jetë të kënaqshme.
- Është një mjet i mirë për të krahasuar artikujt e ndryshëm.
- Ndihmon për të kursyer për të ardhmen.
- I mban njerëzit larg nga shqetësimet dhe ankthet të shkaktuara nga problemet financiare.
- Inkurajon vendimmarrjen me vetëdije.
- Sherben si një mbrojtës financiar për të ardhmen.
- Përçon një frymë bashkëpunimi mes anëtarëve të familjes.
- Pjestarët e familjes kuptojnë përgjegjësitë e tyre në ruajtjen e të ardhurave.
Disavantazhet e buxhetimit:
- Buxhetimi bëhet i vështirë dhe mund të kthehet në dështim në rastin e të ardhurave të parregullta.
- Njerëzit që kanë pak njohuri financiare e kanë të vështirë të dinë teknikat e buxhetimit duke qenë se ai është një plan i shkruar dhe ndonjëherë pak kompleks.
- Nëse anëtarët e families nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin buxheti kthehet në një dështim.
- Anëtarët e familjes mund të bëhen të tensionuara kur buxheti nuk funksionon.
Një format i thjeshtë buxheti:
Të ardhurat | Shpenzimet |
---|---|
– paga – të ardhura nga qeraja – interesat – dividentët – fitimet kapitale – hua dhënë të tjerëve – të tjera | – Kursime/ fondi i emergjencës Shpenzime fikse – kësti i kredisë – qiraja – siguracionet – tatimet dhe taksat Shpenzime variabël – shpenzimet për ushqime – veshje – shpenzime mjekësore – dhurata – argëtim – edukim dhe trajnime |