Katër parime për të përparuar me të ardhurat sipas Morgan Housel
Shumica prej jush që po lexoni këtë artikull ju ka ndodhur që në fund të muajit keni thënë “Nuk më dolën lekët këtë muaj”. Ndryshojmë punën për të marrë një pagë më të mirë, kemi një rritje në të ardhura, na shtohet një burim tjetër të ardhurash në familje dhe përsëri përfundojmë me të njëjtën fjali “Nuk më dolën lekët as këtë muaj”.
Është pjesë e natyrës njerëzore lakmia për të patur më tepër. Sa më shumë të rriten të ardhurat tona aq më shumë rriten dëshirat dhe kërkesat tona për të patur më shumë. Edhe pse mund të kemi një pagë ose një shumë parash të mjaftueshme për të mbuluar gjithçka të arsyeshme për të cilën kemi nevojë dhe shumë prej gjërave që dëshirojmë, përfundojmë gjithmonë me të njëjtën fjali: “Nuk më dalin lekët”.
Sipas ekonomistit Morgan Housel, autor i librit “Psikologjia e Parasë”, ekzistojnë katër parime që nuk duhet ti harrojmë asnjëherë ndërsa përparojmë me të ardhurat tona dhe me nivelin tonë të jetesës.
1. Mos e ndrysho stekën e objektivave
Është një nga aftësitë më të vështira financiare për t’u arritur, por edhe një nga më të rëndesishmet. Nëse pritshmëritë rriten me rezultatet, nuk është e logjikshme të përpiqeni për më shumë, sepse do të ndiheni njëlloj, pasi të jeni përpjekur më shumë. Kur shija e të pasurit më shumë – më shumë para, më shumë pushtet, më shumë prestigj – rrit ambicien më shpejt se kënaqësinë, ajo bëhet e rrezikshme.
Kapitalizmi modern është profesionist në dy gjëra: të prodhojë para dhe zili. Mbase ato shkojnë bashkë; dëshira për t’ua kaluar të tjerëve mund të jetë motivuesi i punës së palodhur. Por jeta nuk është argetuese nëse nuk ke ndjenjën e të mjaftueshmes. Siç thuhet, lumturia është thjesht rezultati minus pritshmëritë.
2. Shmang krahasimin shoqëror
Tavani i krahasimit shoqëror është aq i lartë saqë në të vërtetë askush nuk do e arrijë. Supozoni që ju jeni një punonjës i ri që sapo keni përfunduar shkollën dhe keni filluar punë në një kompani. Nëse ju e krahasoni menjëherë veten me menaxherin tuaj do të ndiheni i varfër. Nga ana tjetër, nëse menaxheri e krahason veten me pronarin e kompanisë duhet të fitoj shumëfishin e të ardhurave që merr për ta arritur. Pronari i kompanisë e krahason veten me një pronar kompanie në Silicon Valley dhe i duket vetja shumë i varfër. Kështu zinxhiri vazhdon dhe askush nuk do të ndiej kënaqësinë për atë çfarë ka arritur.
Kjo përkthehet në një betejë që nuk mund të fitohet kurrë, ose që mënyra më e mirë për ta fituar është të mos luftosh fare por të pranosh që është mjaftueshëm, edhe pse më pak se personat që ke rrotull.
3. Mjaftueshëm, nuk është më pak
Ideja e të pasurit “mjaftueshëm” mund të duket sikur kënaqesh më pak dhe heq shanset për mundësitë dhe potencialet që të ofrohen. Por kjo nuk është domosdoshmërisht e drejtë. Mjaftueshëm do të thotë të kuptosh që e kundërta, një uri e pangopur për më shumë, të çon në pendim. Shumë persona ndalojnë së kërkuari më shumë kur dëmtohen, ose kur janë të detyruar. Kjo vjen në formën e pafajshme të mbilodhjes në punë apo të një investimi të rrezikshëm të cilin nuk e përballon dot. Paaftësia për ti thënë jo disa parave më shumë, në fund të vë poshtë.
4. Për shumë gjëra nuk ja vlen kurrë të rrezikosh, pavarësisht fitimit potencial
Në financë, ligji themelor është që për të patur përfitime më të larta do të kesh rrezik më të lartë. Në libra dhe në shifra kjo është një logjikë e ftohtë dhe kushdo që kërkon më tepër përfitime do të ndërmerrte një risk më të lartë. Por në realitet, financat lidhen me shumë faktorë të tjerë social. Dhe janë disa gjëra shumë të rëndesishme që individi duhet ti mbaj larg rrezikut, pavarësisht përfitimit të lartë që mund të ketë.
Reputacioni është i paçmuar. Liria dhe pavarësia janë të paçmuara. Familja dhe miqtë janë të paçmuar. Të të duan ata, që ti do të të duan, është e paçmuar. Lumturia është e paçmuar.
Dhe mundësia më e mirë për t’i mbajtur këto gjëra është ta dish kur të ndalësh së ndërmarri rreziqe, të cilat mund ti dëmtojnë. Të dish kur është mjaftueshëm.