Obligacionet dhe Bonot e Thesarit – Një mundësi e sigurtë investimi.
Për të financuar defiçitin në buxhetin e saj (diferencën midis të ardhurave dhe shpenzimeve qeveritare) qeveria merr borxh. Format e marrjes së borxhit janë të ndryshme, dhe një prej tyre është nëpërmjet titujve qeveritar.
Obligacionet dhe Bonot e Thesarit (titujt qeveritar) janë instrumenta borxhi të cilët emetohen nga Qeveria. Ajo do të përdorë fondet e mbledhura nga shitja e bonove dhe obligacioneve qeveritare për të investuar në programet e qeverisë, për të shlyer borxhin e shtetit ose për të realizuar projekte të tjera. Prandaj, kur investojmë në obligacionet e qeverisë është njësoj sikur i jepni hua qeverisë për të marrë atë mbrapsh në një kohën e caktuar. Qeveria ka për detyrë të paguajë interesin dhe të shlyejë principalin sipas premtimit.
Bonot e thesarit janë tituj afatshkurtër me maturitete 3, 6 ose 12 mujore.
Ato janë instrument që tregtohen me zbritje. Pra përfitimi nga investimi është diferenca midis vlerës nominale që Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpall dhe çmimet e blerjes. Shuma minimale me të cilën mund të merret pjesë në ankandet e bonove të thesari është 200 mijë lekë, ose 2 mijë EUR/USD.
Obligacionet janë tituj afatmesëm dhe afatgjatë me maturitete 2, 3, 5, 7, 10 dhe 15 vjeçare. Ato shiten me vlerë nominale, pra vlera nominale dhe çmimi i blerjes janë të barabartë dhe investitori përfiton një interes i cili paguhet çdo 6 muaj. Shuma minimale e investimit është 300 mijë lekë ose 3 mijë EUR/USD.
Pse titujt qeveritar janë një mundësi e mirë investimi:
- Kanë risk më të ulët se çdo lloj investimi tjetër. Letrat me vlerë qeveritare mbështeten nga qeveria dhe ofrojnë kthime të garantuara.
- Krahasuar me depozitat e nivelit të dytë kanë një kthim më të lartë. Aktualisht letrat me vlerë qeveritare në Shqipëri kanë norma vjetore që variojnë nga 2.78% (Bono Thesari 3 mujore) deri në 8.39% (Obligacionet 15 vjeçare).
- Janë tituj likuid, mund të tregtohen në tregun sekondar. Në rast se qytetarit në një moment të caktuar i duhet likuiditet, mund të shesë titullin që zotëron përpara datës së maturimit të specifikuar në kontratë, me çmimin që ofron tregu në atë moment.
- Ndihmojnë në diversifikimin e portofoleve. Për të balancuar portofolin tuaj midis investimeve më të rrezikshme, investimi në titujt qeveritar është një mundësi e mirë.
Disavantazhet e investimit në tituj qeveritar:
- Risku i ulët do të thotë norma e ulët kthimi. Risku dhe norma e kthimit kanë një lidhje të kundërt kur bëhet fjalë për investimin. Për shkak të riskut të ulët të mospagimit për titujt e qeverisë, norma e kthimit është gjithashtu më e ulët krahasuar me forma të tjera të investimit që mbartin risk më të lartë.
- Normat fikse të interesit që mund të preken nga inflacioni. Rritja e inflacionit gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave të kuponit të ardhshëm (fiks) të një obligacioni, duke reduktuar kështu vlerën e tyre të ardhshme. Përshpejtimi i inflacionit është edhe më i dëmshëm për obligacionet afatgjata.
- Të ardhurave të fituara nga investimi në tituj qeveritar ju mbahet tatim në burim, për investitorët individë. Aktualisht në Shqipëri norma e tatimt në burim është 15%.
Pavarësisht disavantazheve, investimi në titujt qeveritar mbetet një nga format më të mira dhe më të sigurta të investimit në vendin tonë, sidomos për ata investitorë që duan të investojnë në shuma jo shumë të mëdha.
Burimi: Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave