Tradita e hedhjes së parave në dasma: një perspektivë financiare
Në kulturën shqiptare, dasmat janë raste të gëzueshme të mbushura me tradita dhe rituale. Një traditë e tillë që tërheq shpesh vëmendjen është hedhja e lekëve gjatë kërcimit të nuses dhe dhëndrrit. Besoj se të gjithë kemi e kemi hasur në të paktën një dasëm ku kemi qenë të ftuar këtë traditë.
Si trajnere e financave personale, besoj se është thelbësore të eksplorohet kjo traditë nga një këndvështrim financiar dhe të ofrohet një këndvështrim alternativ që promovon zgjedhje të përgjegjshme financiare. Është shumë e rëndësishme për mua të theksoj se qëllimi i këtij artikulli nuk është të tregojë mungesë respekti ndaj atyre që praktikojnë këtë traditë, por përkundrazi të ofrojë njohuri që mund t’i ndihmojnë individët të krijojnë një perspektivë të ekuilibruar.
Tradita e hedhjes së parave në dasma mund të ketë kuptime simbolike. Ajo shihet si një gjest festimi e dhurimi financiar për çiftin e sapomartuar. Kjo traditë simbolizon mbështetjen dhe urimet e të afërmve për jetën e ardhshme të çiftit. Ndërsa simbolika pas kësaj tradite është domethënëse, është e rëndësishme të trajtohet shqetësimi që lind kur paratë në dukje trajtohen me “mungesë respekti” gjatë këtyre festimeve.
Përtej simbolikës që ka kjo traditë, është shqetësuese të dëshmosh raste kur paratë që hidhen gjatë kërcimit të shkelen me këmbë ose shpërfillen. Kjo ngre pyetjen: sa vlerësohet dhe respektohet paraja ka në kulturën tonë? Paratë janë fryt i mundit dhe djersës dhe është e padrejtë që ato të shkelen me këmbë.
Një aspekt tjetër shqtësues nga pikëpamja financiare për traditën e hedhjes së parave është se mund të krijohen pa dashje ndjenja të pamjaftueshmërisë financiare apo shqetësim për të ftuarit që nuk janë në gjendje të kontribuojnë shumë monetarisht. Kjo mund të çojë në krahasime sociale dhe presion të panevojshëm financiar.
Për më tepër, dëshira për t’u dukur ose për t’u bërë përshtypje të tjerëve gjatë dasmave është një fenomen i zakonshëm që mund t’i bëjë njerëzit të shpenzojnë tepër ose të shkojnë përtej mundësive të tyre për të ruajtur pozitën ose për të respektuar të zotët e dasmës. Kjo sjellje mund të çojë vërtet në vështirësi financiare dhe të ndikojë në mirëqenien financiare afatgjatë të dasmorëve.
Por sikur të gjendeshin zgjidhje të tjera alternative,cilat janë më të përgjegjshme financiarisht? Në vend të hedhjes së lekëve gjatë dasmës mund të gjenden mënyra alternative për të shprehur mbështetjen dhe për të festuar bashkimin e çiftit. Kontributet personale drejtpërdrejtë ndaj çifitit apo familjarëve të tyre (zarfi :)), dhuratat e ndryshme që mund ti hyjnë në punë familjes së re që po krijohet ose ndihma dhe shërbimi gjatë përgatitjeve apo ceremonisë së dasmës mund të kenë kuptim më të thellë duke krijuar një kulturë tjetër që ka të bëjë me respektimin e parave e mundit që është dashur për ti fituar ato.
Ndërsa hedhja e parave në dasëm mund të shihet si një gjest mbështetjeje por edhe dëshirë për të zbatuar traditën ose për të uruar çiftin e ri, duhet të merret parasysh ndikimi që mund të ketë në mirëqenien financiare të individëve. Të dëshmosh se paratë shkelen ose shpërfillen ngre shqetësime për vlerën dhe respektin e parasë.
Duke inkurajuar ndërgjegjësimin financiar dhe vendimmarrjen e përgjegjshme, e mira është që zbatimi i traditave të bëhet në një mënyrë që të përputhet me qëllimet dhe vlerat financiare të gjithësecilit.
Ajo çka është më e rëndësishmja është që njerëzit duhet të mësohen t’i japin përparësi mirëqenies financiare të tyre dhe familjes së tyre, mbi presionet ose pritjet që ka shoqëria për ta.