Gjithçka duhet të dish rreth vendosjes së një qëllimi financiar.
Qëllimi financiar është një target që ti vendos për të arritur gjatë planifikimit të financave të tua, për një periudhë kohe të caktuar. Nëse ke të qartë qëllimin financiar, puna për ta arritur atë bëhet më e lehtë.
Çfare je duke bërë gabim deri tani?
- Nuk ke vendosur fare një qëllim financiar
- Ke vendosur qëllimin në mënyrën e gabuar (dua të jem i pasur, dua të bëj ca pushime. Nuk je specifik në qëllimin e vendosur.)
- Qëllimi që ke vendosur nuk është i përshtatur për ty (vendos qëllim të blesh një makinë të shtrenjtë në fund të vitit ndërkohë që e di se me të ardhurat që merr nuk e arrin dot)
- Nuk e ke shkruar qëllimin tënd
- Nuk bën një plan të detajuar si ta ndjekësh
Si duhet të jetë qëllimi financiar?
Në mënyrë që qëllimet financiare të vendosura të kenë kuptim dhe t’ju ndihmojnë në arritjen e suksesit të kërkuar duhet të jenë SMART. Nga anglishtja fjala Smart do të thotë të zgjuara dhe akronimi i kësaj fjale në anglisht na jep karakteristikat që duhet të ketë një qëllim financiar.
S – Që një qëllim financiar të ketë mundësi të arrihet ai duhet të jetë shumë specifik. Qëllimi “të kursej ca para” nuk është qëllim. Ai mund të jetë në formën: në fund të vitit duhet të kem kursyer shumën 3000 euro. Ose: çdo muaj do kursej nga paga ime 10%.
M – Gjithashtu qëllimi duhet të jetë i matshëm. Nëse nuk vendos një shifër konkrete nuk do arrish dot të matësh progresin dhe të shikosh nëse ke arritur ta përmbushësh apo jo.
A – Përveç këtyre, një qëllim financiar duhet të jetë i arritshëm Nëse e di që për shkak të kushteve ku je nuk do e arrish dot të kursesh një shumë të caktuar, atëher mos e vendos si qëllim.
R – Qëllimi duhet të jetë i rëndësishëm për ty, në mënyrë që të kesh motivimin e duhur për ta arritur atë.
T – Specifik në kohë (në vitin X do kem shlyer kredinë, çdo muaj do kursej një shumë prej X lekësh).
Pse duhen vendosur qëllime financiare?
- Të pasurit e një qëllimi të tregon ku duhet të shkosh. Nëse ke të qartë destinacionin di dhe rrugën që duhet të marrësh. Mbase nuk e njeh si rrugë sepse nuk e ke bërë asnjëherë, por tabelat rrugës do të ndihmojnë të shkosh në destinacion. Mjafton ta kesh të qartë. (Ti e di se në fund të vitit do kesh shlyer kredinë e makinës).
- Nëse qëllimi që vendos është i qartë, atëherë do të kesh të qarta edhe veprimet që duhet të ndjekësh. Që në fund të vitit do të kesh shlyer kredinë e makinës atëherë do dish sa duhet të kursesh çdo muaj. Kështu rregullon gjithë aktivitetin tjetër për të ulur shpenzimet si për shembull ha më pak vakte jashtë, vendos të ecësh më shumë në këmbë dhe ta përdorësh më pak makinën etj. Ose nëse qëllimi yt është që në fund të vititi të ardhurat të jenë rritur me një përqindje të caktuar do zgjedhësh mënyrën ku do të investosh në mënyrë që të kesh fitime. Nëse qëllimi është të rrisësh të ardhurat kjo do të thotë që duhet të kërkosh për një punë të dytë.
- Vendosja e qëllimit gjithashtu të mban të fokusuar. Duke pasur një qëllim të qartë, të shkruar është më pak e lehtë të shpërqëndrohesh dhe të dalësh jashtë planifikimit. Do fillosh të eleminosh çdo shpenzim që të shpërqëndron nga arritja e qellimit tend.
- Arrijta e një qëllimi financiar përjetohet si sukses dhe të bën të ndihesh mirë. Madje edhe vetë hapi i parë, vendosja e një qëllimi mund të konsiderohet një arritje. Nëse ke kuptuar që duhet ta bësh dhe ke hedhur hapin e parë ke bërë gjysmën e punës. Për këtë duhet ta përgëzosh veten!